SH.K.K. FED invest nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me UBT - Universitetin Bujqësor të Tiranës

Kjo marrëveshje u nënshkrua për zhvillimin dhe transmetimin e dijeve përmes shkëmbimit e promovimit të përvojave e praktikave më të mira në fushën e kërkimit shkencor dhe zbatimit të risive teknologjike në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe zhvillimit të ekonomisë rurale.

Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet SH.K.K. FED Invest dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) u nënshkrua më 2 Mars 2021 në ambientet e UBT-së . Marrëveshja u firmos nga Administratori i FED invest Z. Perlat Sulaj dhe Rektori i UBT-së Prof. Dr. Fatbardh Sallaku. Kjo marrëveshje çon më tej bashkëpunimin dypalësh për zhvillimin dhe transmetimin e dijeve përmes mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve nga institucionet e arsimit të lartë. Nëpërmjet saj, synohet bashkëpunimi midis dy institucioneve lidhur me përmirësimin e përmbajtjes së programeve të studimit duke bashkërenduar përmbajtjen teorike me aspektet praktike për një përgatitje sa më cilësore dhe profesionale të studentëve në fushën e bujqësisë, agrobiznesit, agropërpunimit, ekonomisë dhe financave rurale. Gjithashtu, kjo marrëveshje synon shfrytëzimin sa më të mirë të informacionit shkencor, infrastrukturës funksionale dhe intelektuale të të dy institucioneve.

Gjatë diskutimit mes përfaqësuesve, palët shprehën gatishmërinë për t’u angazhuar në fusha të tilla si:

I.   Promovimi i të rejave më të fundit në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, zhvillimit rural, agropërpunimit, agroturizmit, financat rurale dhe TIK në sistemin e AGB nëpërmjet:

    • Organizimit të konkursit vjetor të FED invest dhe Qendrës ABA për stafin studentor dhe akademik të Universitetit Bujqësor në lidhje me përgatitjen e punimeve dhe miniprojekteve. 
    • Publikimit të artikujve, studimeve dhe punimeve të studentëve dhe stafit akademik në platformën e FED invest (abaonline.al), në portalin UBgreen.al të UBT-së, Revistën Shqiptare të Shkencave Bujqësore (AJAS) që botohet nga UBT dhe atë të FEA-s,  Ekonomia dhe Agrobiznesi (JEA).

II.   Shkëmbimin e praktikave më të mira për teknologjitë e prodhimeve bujqësore dhe proçeseve në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor.

III .  Kryerjen e studimeve të përbashkëta për teknologjitë e prodhimit, tregun e prodhimeve bujqësore, inputeve bujqësore, menaxhimin e fermave bujqësore, etj.

Universiteti Bujqësor i Tiranës është alternativa e vetme për ekspertizat në fusha e sektorë të bujqësisë, theksoi Rektori i UBT-së.

Z. Perlat Sulaj u shpreh se bashkëpunimi me UBT-në është në ADN-në e vetë institucioneve. SH.K.K. FED invest ofron një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh financiare, veçanërisht për popullsinë që jeton në zonat rurale të Shqipërisë, me qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe reduktimin e përgjithshëm të varfërisë. Gjithashtu, Qendra e sapo krijuar e Asistencës për Agro-Biznesin (ABA) është një burim i rëndësishëm i ofrimit të shërbimeve jo-financiare për fermerët dhe gjithë aktorët e zinxhirit të vlerës.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet SH.K.K. FED invest dhe UBT-së morën pjesë: Administratori i SH.K.K. FED invest, Z. Perlat Sulaj; Zv. Administratori dhe Drejtori i Departamentit të Biznesit te SH.K.K. FED invest Z. Behar Gjoni; Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku; Zv/rektori për mësimin Prof. Asoc. Dr. Ilir Kapaj; Zv/rektori për marrëdhëniet me institucionet dhe publikun Prof. Dr. Alban Ibraliu; Administratori i UBT-së, Z. Edmond Tërthorja; Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Prof. Dr. Remzi Keco; Prof. Dr. Drini Salko, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT, dhe Anëtar i Këshillit Drejtues te SH.K.K. FED invest.