Mbi 50 mijë familje fermere më shume akses në shërbimet bankare

TIRANË, 24 prill /ATSH/ – Fermerët në të gjithë vendin pritet të rrisin aksesin në shërbimet financiare bankare, e të pagesave, çka do t’i ndihmojë ato në rritjen e aktivitetit bujqësor dhe të investimeve të reja.
Qeveria shqiptare dhe Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) po mbështet përmirësimin e përfshirjes financiare në Shqipëri, nëpërmjet zbatimit të projektit “Përfshirja e Financiare e Familjeve të Vogla” në Shqipëri.
Projekti zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave të Shqipërisë. Objektivi kryesor i projektit është përmirësimi i përfshirjes financiare të familjeve të vogla rurale në Shqipëri, duke zhvilluar produkte dhe shërbime të reja financiare dhe jofinanciare, të cilat në mënyrë fleksibile i përgjigjen nevojave të fermerëve. Kjo arrihet duke forcuar kapacitetin e institucionit të mikrokredisë, e cila ofron shërbime financiare në zonat rurale të vendit.
Në ceremoninë e dorëzimit të Sistemit Bankar (CBS) dhe pajisjeve kompjuterike në zyrën e mikrofinancës në Tiranë, Anila Denaj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë u shpreh se “Qeveria Shqiptare dhe Qeveria Japoneze kanë raporte bashkëpunimi të hershme dhe ndër vite, është ndjerë bashkëpunimi ekonomik me Qeverinë Japoneze nëpërmjet ndihmave dhe bashkëpunimit teknik. Ku sektori prioritar në fokus të qeverisë japoneze ka qënë dhe është ende, kryesisht sektori i bujqësisë por edhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”.
Denaj theksoj se ky projekti “Asistencë Teknike nga Qeveria e Japonisë” është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe sektorin bujqësor, jo vetëm për vlerën financiare e cila është e konsiderueshme në 3.5 milionë euro për një kohëzgjatje 4-vjeçare, por sepse ky projekt synon të jetë një nga instrumentet në mbështetje të objektivave të Qeverisë shqiptare mbi përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes një rritjeje ekonomike cilësore dhe gjithëpërfshirëse, si dhe për krijimin e një sektori agro-ushqimor efikas, novator e të
qëndrueshëm, punësim, përfshirje sociale dhe cilësi më të mirë jetese për banorët.
Bujqësia është një sektor i rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe popullsia që jeton në zonat rurale, por është dhe një promotor i rëndësishëm në realizimin e misionit tonë të sigurimit të një game të gjerë produktesh dhe shërbimesh financiare, nëpërmjet njëvteknologjie moderne bankare, me qëllim zhvillimin, fuqizimin e ekonomive familjare dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Ndërsa Makoto Ito, ambasador i Japonisë në Shqipërisë tha se, dorëzimi i pajisjeve shënon finalizimin e fazës së parë të projektit “Përfshirja Financiare e Familjeve të Vogla në Shqipëri”.
“Sistemi Bankar Qendror (CBS) dhe rreth 200 kompjutera tashmë janë blerë dhe të gjitha institucionet janë duke bashkëpunuar për dixhitalizimin dhe rinovimin e sistemit Banker në qendrën e mikrofinancës. Ky është hapi i parë drejt forcimit të kapaciteteve të këtij institucioni, i cili do të ndihmojë në përmbushjen e nevojave të fermerëve dhe atyre shtresave të shoqërisë të cilat aktualisht nuk i përfitojnë këto shërbime”- tha Ito.
Pajisjet e reja, do të ndihmojnë mikrofinancën të rrisë efikasitetin dhe të përmirësojë menaxhimin e operacioneve bankare, si dhe të përmirësojë dukshëm cilësinë dhe disponueshmërinë e shërbimeve financiare për klientët ruralë në Shqipëri.
“Kjo është një iniciativë me vlerë rreth 4 milionë euro, e cila synon t’i sigurojë mbështetje rreth 50.000 familjeve të vogla që jetojnë në zonat rurale. Unë besoj se ky projekt do t’i sigurojë këtyre familjeve dhe ndërmarrjeve të vogla më shumë akses në shërbime financiare, si dhe një mundësi për të rritur të ardhurat, produktivitetin e tyre dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës”, – tha ambasadori Ito.
Një nga tri rezultatet e këtij projekti është zgjerimi i shërbimeve financiare dhe jofinanciare duke rinovuar sistemin e tyre bankar (CBS), i cili pritet që të ofrojë një sërë
produktesh dhe shërbimesh financiare, si shërbimet e pagesave, llogaritë rrjedhëse, banking i lëvizshëm përmes internetit për familjet rurale dhe ato shtresa të shoqërisë që aktualisht nuk i përfitojnë këto shërbime.
Të pranishëm në ceremoninë e sotme ishin edhe përfaqësuesi rezident i Zyrës së JICA për Ballkanin,  Hideya KOBAYASHI, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Enea Hoti, drejtori i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Denis Derralla si dhe zyrtarë të
ndryshëm qeveritarë dhe të ftuar të tjerë.