Dita Kombëtare e Vajit të Ullirit në Vlorë

Aktivitet ndërgjegjësues për promovimin dhe financimin e zinxhirit të plotë të prodhimit të Vajit të Ullirit.

Fundjavën e 19 Qershorit 2021 u organizua në qytetin e Vlorës aktiviteti i përvitshëm për promovimin e ullirit dhe produktit të tij, vajit të ullirit. Në aktivitetin e organizuar nga shoqata “Nucleus Albania”, morën pjesë përfaqësues të industrisë së përpunimit të Vajit të Ullirit, nga Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural - MZHBR, me përfaqësues Z. Irfan Tarelli, Bashkia Vlorë e përfaqësuar nga Zj. Aulona Veizi, Qendra e Transferimit të Teknologjisë Bujqësi - QTTB Vlorë, Shkolla Tregtare Vlorë, Dhoma Kombëtare e Zejtarisë, Institucione financiare dhe jo-financiare si; FED invest, Qendra ABA dhe Banka OTP Albania.

Mesazhi i këtij aktiviteti ishte promovimi i produkteve shqiptare, sidomos gatimeve me vaj ulliri, i lidhjes së fermerëve dhe prodhuesve me institucione të kërkimit si QTTV - Qendra e Transferimit të Teknologjive Vlorë, lidhjes me Institucionet Financiare që mbështesin këto grupe interesi për investime, inovacion dhe zgjerim, lidhje me institucione jo – financiare e arsimore për t’u bërë promotorë të transferimit të vlerave.

Nga MBZHR ishte i pranishëm Z.Irfan Tarelli, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural, ku theksoi se të tillë evente janë të rëndësishëm dhe vlerësoi cilësitë e ullirit përtej frutit, i shtrirë në të gjithë hallkat e zinxhirit të vlerës dhe i lidhur tërësisht me natyrën dhe biodiversitetin.

FED invest i shërben 75 000 anëtarëve ku mbi 60 % e tyre jetojnë në fshat.

FED invest ndër vite ka financuar të gjithë zinxhirin e vlerës që lidhet me vajin e ullirit që nga fermeri më i vogël që prodhon varietetin e ullirit dhe kujdeset çdo ditë për të deri tek grumbulluesit, prodhuesit dhe përpunuesit e mëdhenj ku mund të përmendim fabrika në zona të ndryshme si ne Llakatund, Novoselë, Lukovë etj.

FED invest edhe në këtë situatë të vështirë demonstroi qëndrueshmëri financiare ku portofoli i kredidhënies arriti vlerën 4.4 miliardë lekë dhe i depozitave 4.4 miliardë lekë. Në 2020 janë disbursuar rreth 5 000 kredi. Mbi 54 % e volumit të kredidhënies është disbursuar në sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë.

FED invest, prej 29 vitesh, ofron konsulencë dhe ekspertizë përmes një stafi të specializuar që mbështet të gjithë fermeret gjatë të gjithë periudhës së financimit, sidomos ndaj shtresave me akses të kufizuar në sektorin bankar.

Në aktivitet u prezantuan aktivitetet dhe shërbimet e Qendrës ABA, të cilat reflektohet në kohë reale në platformën digjitale ABA Online për të arritur jo vetëm tek anëtarët FED invest, por tek çdo fermer në mbarë vendin. Pjesëmarrësit në aktivitet u regjistruan në platformë dhe u inkurajuan të bashkëpunonin me Qendrën ABA.

Aktiviteti i shërbeu bizneseve të forcojnë lidhjet mes tyre, si dhe të njihen me skemat e mbështetjes me subvencione nga buxheti i Qeverisë Shqiptare nëpërmjet instrumentave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe mbështetjen që do të fillojë me financim të Bashkimit Evropian nëpërmjet Programit IPARD III si Instrumenti i Asistencës së Para – Aderimit në Bashkimin Evropian.
Për më tepër bizneset kishin mundesinë të njihen nga afër edhe me skemat e kreditimit dhe mbështetjen teknike të ofruar nga FED invest, Qendra ABA nëpërmjet aplikacionit ABA Online dhe nga Banka OTP Albania.