
Të nderuar kolegë dhe bashkëudhëtarë në rrugëtimin historik të FED invest!
Data 4 dhjetor 2021 shënon një ditë të veçantë në historinë e FED invest, 6-vjetorin e krijimit të tij. Rruga që kemi përshkuar së bashku për të arritur këtë stad zhvillimi nuk ishte e lehtë, por e mbushur me sakrifica dhe përkushtim, që u shpërblyen me arritjet për të cilat sot ndihemi krenarë.
Ky është përvjetori i familjes së madhe të anëtarëve, të zgjedhurve, punonjësve, ekipit të manaxhimit të FED invest, kësaj organizate vitale e dinamike që i ka rrënjët thellë në vitet e para të fillimit të demokracisë në Shqipëri. Sfidat që kapërcyem së bashku ishin të panumërta: që nga viti ‘92, kur mposhtëm skepticizmin dhe mentalitetin e zonave rurale për kredimarrjen; te disbursimi i kredive të para, ndonëse informale; përballimi me guxim i sprovës së fortë të vitit ‘97; formalizimi në dinamikë i strukturës së qeverisjes, përmirësimi i vazhdueshëm i kuadrit ligjor e rregullativ; për të kulmuar më 4 dhjetor 2015 me marrjen e një vendimi tjetër historik– themelimin e FED invest.
FED invest lindi nga bashkimi me përthithje i 69 SHKK-ve me ish SHKK Belsh. Zgjedhja e emrit nuk ishte rastësore: Binomi FEDERATË + Investim që tregonte qëllimin e bashkimit në një federatë për investim, ose shkurt FED invest. Institucioni i ri mori bekimin (licencën) si SHKK Kombëtare në 2 mars 2016 nga Banka e Shqipërisë dhe më vonë edhe nga ASD.
Ne ishim besimplotë se vizioni, misioni, modeli ynë demokratik i qeverisjes me anëtarin në qendër, ekspertiza, profesionalizmi dhe përkushtimi i stafit të manaxhimit do të na orientonin drejt suksesit të rradhës; por gjithashtu ishim të ndërgjegjshëm për sfidat e vështira që na prisnin. Përpjekjet dhe arritjet ishin intensive dhe në shumë fronte, mbështetur fuqishëm edhe nga partneritetet strategjike. Hapi i parë ishte kryerja e një transformimi rrënjësor institucional dhe organizativ, duke vijuar me implementimin e sistemit të ri të teknologjisë, FlexCube, dhe përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës fizike dhe digjitale; prezantimin e produkteve dhe shërbimeve të reja financiare dhe jo-financiare; hapjen e qendrës ABA; lancimin e kanaleve të reja digjitale të shpërndarjes dhe komunikimit, etj. Përkthyer në shifra, sot, numri i anëtarëve ka kaluar 80 mijëshin, portofoli i kredisë dhe i depozitave po afrohet tek 4.8 miliardë Lekë, shërbimet e llogarisë rrjedhëse e pagesave utilitare dhe FED online janë shtrirë në të gjithë rrjetin, numri i degëve dhe i stafit është rritur dhe bashkë me to edhe qëndrueshmëria financiare e Institucionit.
Një udhëtim sa mbresëlënës, aq dhe frymëzues, i vlerësuar si histori suksesi nga Qeveria Shqiptare dhe organizata ndërkombëtare financiare! Por aspiratat tona shkojnë përtej një institucioni të zakonshëm mikrofinance. Sot FED invest është promotor dhe kampion i përfshirjes financiare dhe i zhvillimit të bujqësisë në Shqipëri. Ai sheh drejt së ardhmes me objektiva të qarta dhe ambicioze si: rritja në sektorin e SME-ve, krijimi i partnerëve të biznesit dhe financimi i zinxhirit të vlerës, promovimi dhe rritja e aktivitetit të pagesave utilitare, futja e produkteve të reja financiare si kredia 24h, overdrafti, kredia e dedikuar për agroturizimin, pagesat me kodin QR, etj.
Viti i ri 2022 është një vit special për FED invest, sepse përkon me:
- 30-vjetorin e fillimit të misionit të organizatës tonë, si një projekt i Bankës Botërore;
- 20 vjetorin e themelimit të Unionit SHKK (pararendësi i FED invest) si një arritje dhe risi unike e kohës.
Së bashku, si një skuadër, ju ftojmë ta bëjmë vitin 2022 një vit sa festiv, aq edhe të suksesshëm në të gjitha aspektet. Kemi kënaqësinë t’ju komunikojmë se viti 2022 do të jetë një vit jubilar në të gjithë muajt e tij, duke vlerësuar dhe festuar nëpërmjet një serie aktivitetesh me stafin, anëtarët dhe partnerët tanë.
Urimet më të mira për gjithçka kemi arritur dhe së bashku, ta bëjmë vizionin tonë të dashur edhe për gjeneratat që do të vijnë!
Me vlerësim dhe respekt,
Zana Konini, Kryetare e Këshillit Drejtues
Perlat Sulaj, Administrator i FED invest