NJOFTIM
Më datë 31 Maj 2025, ne ambientet e Hotel “Hilton Garden” në Tiranë, në një atmosferë entuziaste dhe me pjesëmarrje të gjerë, Shoqëria e Kursim Kreditit “FED invest” zhvilloi me sukses Asamblenë e Përgjithshme Vjetore. Asambleja e Përgjithshme është autoriteti më i lartë vendimmarrës dhe demokratik i FED invest, ku anëtarët kanë të drejtën e votës, sipas parimit një anëtar, një votë. Ky takim, i dymbëdhjeti në radhë, shënoi një tjetër gur themeli në historinë 33 vjeçare të Institucionit tonë si kooperativa financiare më e madhe dhe më e konsoliduara në vend, me mbi 97 mijë anëtarë dhe me 58 degë të shtrira në mbarë vendin.
Kjo Asamble përmbylli takimet e Mbledhjeve të Përgjithshme Vjetore në të gjitha Njësitë Grup/Bazë, ku anëtarësia u njoh me aktivitetin dhe arritjet e vitit 2024, si dhe objektivat e vitit 2025. Delegatë nga e gjithë Shqipëria, përfaqësues të Njësive Bazë/Grup, u mblodhën në ketë forum për të reflektuar mbi rrugëtimin e vitit 2024, për të vlerësuar arritjet, për të shkëmbyer përvojat dhe diskutuar mbi sfidat dhe zgjidhjet, si dhe për të projektuar së bashku objektivat ambicioze të FED invest-it për vitin 2025. Në qendër të diskutimeve ishin çështje si: rritja e inovacionit dhe zgjerimi i shërbimeve digjitale, marketingu efektiv, përfshirja financiare për të gjithë segmentet dhe fuqizimi i komuniteteve lokale.
“Asambleja jonë është më shumë se një mbledhje, është një manifestim i vlerave tona të përbashkëta, i besimit dhe bashkëpunimit që na ka sjellë deri këtu,” theksoi Kryetarja e Këshillit Drejtues, Zj. Zana Konini në fjalën e saj hapëse, duke falënderuar anëtarët, ekipin drejtues dhe partnerët për besimin e mbështetjen e pandërprerë.
Znj. Konini shtoi se, “me vizionin për financë të qëndrueshme, viti 2025 do të fokusohet në përmirësimin e ofertës sonë unike financiare, fuqizimin e kornizës së manaxhimit të riskut, thellimin e personalizimit të shërbimeve për anëtarët në çdo hap të rrugëtimit të tyre financiar dhe zgjerimin e anëtarësisë për të arritur sa më parë gurin kilometrik të 100 mijë anëtarëve”.
Perlat Sulaj, Administrator i SHKK FED invest, u shpreh se “gjatë vitit që kaloi, FED invest realizoi me sukses një sërë aktivitetesh institucionale për rritjen e kapaciteteve, zhvilloi fushata marketingu dhe promocioni që kanë forcuar më tej markën e FED invest-it në treg, si dhe në komunitetin e institucioneve financiare dhe të donatorëve ndërkombëtarë”. Ai shtoi: “Kemi vazhduar të konsolidojmë marrëdhëniet me partnerët e huaj dhe kemi nisur projekte të reja që do të vijojnë të zbatohen edhe gjatë vitit 2025”.
Behar Gjoni, Drejtor i Biznesit dhe njëherazi Zëvendës Administrator i FED invest-it, theksoi se “Institucioni ynë i mikrofinancës synon të jetë porta kryesore për sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm, si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane, për të marrë shërbime financiare, duke kontribuar në rritjen ekonomike përmes fuqizimit të fermerëve, të rinjve, grave dhe aktorëve të zinxhirit të vlerës”.
Asambleja vlerësoi lart punën e Komitetit te Kontrollit dhe Komiteteve “Anëtari në Qendër” dhe “Ekipi i Opinionistëve”. Asambleja gjithashtu ritheksoi rolin kyç të Qendrës ABA si katalizator për ekspertizën, informacionin dhe njohuritë agri dhe përfshirje të grupeve vulnerabël në financë dhe ngritje kapacitetesh, si dhe rikonfirmoi angazhimin për të thelluar bashkëpunimet me partnerët ndërkombëtare në funksion të rritjes së kapaciteteve, diversifikimit të burimeve të financimit dhe aplikimit të praktikave moderne të bujqësisë së qëndrueshme dhe digjitalizimit, në shërbim të anëtarëve.
Në fund të punimeve, u miratuan vendime të rëndësishme sipas detyrimeve ligjore dhe statutore dhe u miratuan objektivat strategjike për të ardhmen e FED invest. U prezantuan raportet e aktivitetit dhe Këshillit Drejtues, Komitetit të Kontrollit, Raporti i Audituesit të Jashtëm, Komiteti Anëtari në Qendër dhe Ekipi i Opinionisteve, si dhe akte të tjera që lidhen me ecurinë e aktivitetit të SHKK FED invest. Këto vendime janë të rëndësishme dhe do të sjellin ndryshime në të ardhmen.
Vendimet e marra në këtë Asamble përcaktojnë qartë një drejtim të guximshëm përpara: zhvillim të qëndrueshëm, risi dhe zgjidhje teknologjike dhe angazhim të pandalshëm për mirëqenien financiare të çdo anëtari të FED invest.
Të bashkuar për më shumë mundësi dhe financa sociale.








