Më datë 4 Shtator 2024 FED invest-i nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Bashkinë Roskovec, në përmbushje të vizionit strategjik për të qenë lider në financimin rural dhe kontribues në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kjo Marrëveshje u nënshkrua nga z. Perlat Sulaj, Administrator i FED invest-it, dhe znj. Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkisë Roskovec, ku të pranishëm në këtë takim ishin drejtues të lartë të FED invest-it, drejtuesi dhe strukturat bashkëpunuese të Qendrës ABA si dhe përfaqësues të Bashkisë Roskovec.
Marrëveshja synon të strukturojë dhe krijojë hapësira bashkëpunimi midis dy institucioneve në funksion të rritjes së roleve dhe funksioneve të tyre, përmes shfrytëzimit më të mirë të kapaciteteve dhe burimeve të tyre në fushën e bujqësisë dhe veterinarisë, agrobiznesit, agropërpunimit, ekonomisë dhe financave rurale.
Z. Sulaj, administratori i FED invest u shpreh se ‘'Me mbështetjen tonë do të krijojmë mundësi për zhvillimin e bujqësisë dhe financimin e fermerëve‘'.
Znj. Bufi, Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, në fjalën e saj theksoi se ky është një hap që do t‘i vlejë fermerëve për të treguar dhe prezantuar një model zhvillimi.
Bashkia Roskovec dhe SHKK FED invest do të bashkëpunojnë për identifikimin dhe implementimin e prioriteteve në fushën e ekspertizës, trajnimeve, transferimit të teknologjive dhe ofrimit të shërbimeve.
Dy institucionet angazhohen të punojnë së bashku në frymën e asistencës, reciprocitetit, barazisë, transparencës, qëndrueshmërisë e lehtësimit të pjesëmarrjes duke u përpjekur të mos cënojnë të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e secilit prej institucioneve, në bazë të të cilit këto institucione janë krijuar dhe funksionojnë.