AL / EN

Konferenca e 28-të e MFC në Durrës/ Sulaj: Mikrofinanca mbetet një instrument kyç për përfshirjen financiare

DURRËS, 20 maj /ATSH/ – Konferenca Vjetore e 28-të e Qendrës Ndërkombëtare të Mikrofinancës (MFC), me temë “Mikrofinanca në tranzicion: A është misioni në rrezik?”, po zhvillohet këtë vit në Durrës, nga data 19 deri më 21 maj, me pjesëmarrjen e rreth 500 përfaqësuesve të institucioneve financiare, organizatave ndërkombëtare, investitorëve dhe ekspertëve të mikrofinancës nga më shumë se 40 vende të rajonit, Europës dhe më gjerë. Konferenca MFC rikthehet në Shqipëri pas 10 vitesh, në një vit qe përkon edhe me 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë dhe 20-vjetorin e AMA-s.

Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, në fjalën e saj përshëndetëse trajtoi rolin e mikrofinancës në zhvillimin ekonomik dhe social, si dhe sfidat me të cilat përballet ky sektor në një mjedis financiar dhe teknologjik në transformim.

“Misioni primar i mikrofinancës është të jetë një alternativë e përballueshme dhe një mbështetje sociale për shtresat që kanë më tepër nevojë për një derë të hapur në sektorin financiar. Përtej dimensionit financiar, mikrofinanca duhet të kontribuojë në krijimin e mundësive për zhvillim, punësim dhe përfshirje ekonomike, duke ruajtur gjithmonë balancën mes objektivave tregtarë dhe përgjegjësisë sociale”, u shpreh ajo.

Z. Perlat Sulaj, Drejtor Ekzekutiv i FED invest-it, si anëtar i Bordit të MFC-së dhe përfaqësues i AMA-s, mbajti fjalën kryesore në hapjen e konferencës dhe e vlerësoi këtë konferencë si ngjarjen më të rëndësishme të sektorit të mikrofinancës në Europë dhe në Azinë Qendrore.

Gjatë fjalimit ai vlerësoi rolin historik të mikrofinancës në Shqipëri që nga fillimi i epokës post-komuniste, duke ndihmuar mijëra individë dhe mikro-sipërmarrës të ndërtojnë aktivitetet e tyre ekonomike. Falë misionit të tyre social dhe zhvillimor, këto institucione kontribuan në zgjerimin dhe konsolidimin e mijëra sipërmarrjeve, tashmë financiarisht të pavarura.

Ndër të tjera ai theksoi se “sot ky sektor ka evoluar nga një sistem mbështetës me kredi të vogla për individët pa akses në banka, në një ekosistem të vërtetë të përfshirjes financiare, ku kanalet dixhitale po ulin kostot dhe po prekin thellë zonat rurale dhe komunitetet e pa shërbyera me produkte të personalizuara me nevojat lokale”. Z. Sulaj u shpreh se “ky mision madhor në Shqipëri dhe rajon vazhdon të mbështetet fuqishëm me financime, garanci dhe programe zhvillimi nga institucione të fuqishme ndërkombëtare si Komisioni Europian, Fondi Europian i Investimeve, Banka e Zhvillimit e Këshillit të Europës, EFSE etj.”

Organizatorët theksuan se konferenca evidenton angazhimin e përbashkët për ta mbajtur mikrofinancën një nga instrumentet më të fuqishme për progresin njerëzor dhe përfshirjen ekonomike.

Data e publikimit: 08.06.2026

Shpërndaj në rrjetet sociale :