AL / EN

 Financa e qëndrueshme gjithëpërfshirëse në Shqipëri, Historia e transformimit të FED invest

DEKLARATË PËR SHTYP – 1 TETOR 2024

 Financa e qëndrueshme gjithëpërfshirëse në Shqipëri, Historia e transformimit të FED invest

FED invest, EFSE (Fondi Evropian për Evropën Juglindore) Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, dhe Rabo Partnerships kanë bërë bilancin e 7 viteve bashkëpunimi në kuadrin e një programi të partneritetit publik-privat (PPP) në një Konferencë me titull: “Financa e qëndrueshme gjithëpërfshirëse në Shqipëri, Historia e transformimit të FED invest-it”, e cila u mbajt në Hotel Plaza Maritim, Tiranë në 1 tetor 2024, me pjesëmarrjen e partnerëve EFSE, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, FED invest, Rabo Partnerships, rregullatorëve (Banka e Shqipërisë dhe ASD), akademisë si dhe donatorëve. Në Konferencë morën pjesë edhe institucione simotra mikrofinance nga Bosnjë Hercegovina (MI-BOSPO, EKI, PARTNER, MIKROFIN) dhe Kosova (KEP, AgroDev).

Konferenca shpalosi arritjen e këtij partneriteti që synonte rritjen e përfshirjes financiare dhe forcimin e zinxhirit të vlerave në sektorin e bujqësisë nëpërmjet zgjerimit të produkteve dhe shërbimeve të reja - duke mundësuar ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore dhe zhvillimin e aftësive të reja dixhitale në FED invest, si pjesë e misionit të tij për t'i shërbyer ekonomisë rurale të Shqipërisë.

Programi e ka transformuar FED invest-in në ofruesin kryesor në Shqipëri të financave rurale të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Me mbi 94 mijë anëtarë dhe mbi 60 degë rurale dhe urbane në mbarë vendin, FED invest ka mbështetur me financime mijëra sipërmarrje të vogla dhe të mesme dhe në zonat urbane dhe semi-urbane. Falë mbështetjes së gjithanshme nga ekspertiza, konsulenca dhe financimet e partnerëve në Projekt, FED invest është transformuar në një ofrues modern të shërbimeve dhe përfshirjes financiare, një lider në financimin e bujqësisë dhe te zonave rurale. FED invest përfaqëson sot kooperativën financiare më të madhe në vend, me një strategji të qartë, sisteme moderne të IT-së, qeverisje të shëndoshë korporatave, bazë të gjerë e të diversifikuar anëtarësh, menaxhim operacional dhe financiar efikas, korniza bashkëkohore të menaxhimit të rrezikut dhe kapitalizmi solid. Ky partneritet ka fuqizuar klientët në të gjithë Shqipërinë, ka rritur transparencën dhe nivelin e shërbimit ndaj anëtarësisë, ka fuqizuar imazhin korporativ, duke nxitur prosperitetin dhe zhvillimin rural.

Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Shkëlqesia e tij, z. Reinout Vos, theksoi se, “Mbretëria e Vendeve të Ulëta është e lumtur të mbështesë këtë projekt, duke mundësuar fuqizimin e fermerëve dhe sipërmarrjeve në zonat rurale”.

Zj. Zana Konini, Kryetare e Këshillit Drejtues të FED invest gjatë fjalës së hapjes se, “FED invest përfaqëson, jo vetëm kooperativën financiare më të madhe në vend me mbi 90 mijë anëtarë, por dhe një institucion modern në të gjitha aspektet e qeverisjes dhe praktikave të punës, të specializuar në financimin e bujqësisë dhe agrobiznesit, me një ofertë unike shërbimesh financiare, por dhe të asistencës së biznesit Agri, nëpërmjet qendrës ABA dhe platformës digjitale ABA online. Në këtë konferencë gjendemi në vendin, kohën dhe me partnerët e duhur për të diskutuar dhe për të marrë përgjegjësitë tona për avancimin e mëtejshëm të financave dhe bujqësisë së qëndrueshme në vend”.

EFSE ka qenë një partner dhe investitor në FED invest që nga viti 2016. Jasminka Begert, Drejtoreshë e Fondit EFSE, shprehu vlerësimin e saj për këtë rast, duke thënë: “Gjatë tetë viteve të fundit, kemi qenë krenarë që kemi shoqëruar FED invest drejt këtij momenti. FED invest është bërë një financues kryesor dhe i qëndrueshëm i bujqësisë, si dhe një partner i preferuar për SME-të në të gjithë zonat rurale të Shqipërisë që kërkojnë të zhvillohen dhe të rriten. Tani, në kulmin e viteve përpjekjesh nga FED invest, Rabobank dhe Fondi EFSE, jemi të lumtur të urojmë partnerin tonë dhe presim me padurim të punojmë së bashku në të ardhmen."

Rabo Partnerships, pjesë e Rabobank, Hollandë, bankë lider global në sektorin Agri dhe të Ushqimit, ishteofruesi i ekspertizës në këtë projekt. Duke reflektuar mbi projektin, z. Bjorn Schrijver, Drejtor i Projektit, vlerësoi punën e përpjekjet e FED invest-it për energjinë, përkushtimin dhe guximin për të modernizuar sistemet dhe strukturat e tyre të brendshme – një proces shumë kompleks – për të zhvilluar produkte dhe shërbime të përshtatshme për segmentet e pa shërbyera të industrisë së shërbimeve financiare në Shqipëri. “Projekti me FED investon ishte energjik dhe i guximshëm falë ekipit që e mundësoi këtë ndryshim. Organizata trajton çdo sfidë që i del përpara dhe madje ka realizuar me sukses një iniciativë të sektorit publik dhe privat, së bashku me Bankën Qendrore të Shqipërisë, të mbështetur nga Banka Botërore, duke përditësuar ligjin shqiptar të kooperativave financiare, për të forcuar strukturën e sistemit kooperativë në Shqipëri, përvojë që shërbeu si shembull për kooperativat në tërësi në vendet e Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë.

Perlat Sulaj, Administrator i FED invest, nënvizoi se “gjatë kohëzgjatjes së këtij projekti ne kemi financuar rreth 200 milionë euro, gjysma e të cilave ka shkuar për aktivitete të lidhura kryesisht me bujqësinë, blegtorinë, agroturizmin dhe zonat rurale. Numri i anëtarëve është rritur 2.5 herë që nga fillimi i projektit, duke arritur në gati 94 mijë anëtarë. Krahas kredive kemi ofruar një gamë të gjerë të produkteve si depozita, llogari rrjedhëse, produktet e pagesave utilitare etj. Hapa të rëndësishëm u hodhën drejt dixhitalizimit të shërbimeve, me futjen e shërbimit te FED Online, kredisë online 24 ore, FED Fin, nismës “Gruaja në FED”, si dhe pagesat nëpërmjet portofoli dixhital, KlikoPago, të shoqëruara me programe të edukimit financiar e dixhital.

Me një vështrim mbi të ardhmen e bujqësisë së Shqipërisë, disa ekspertë të fushës ndanë pikëpamjet e tyre mbi rëndësinë krijimit të një sektori të qëndrueshëm bujqësor.

Corné de Louw, Menaxher i Lartë i Projektit në Rabo Partnerships theksoi rëndësinë e pasjes së një qasjeje afatgjatë për të gjithë ekosistemin: “Skemat e inputit të lartë – produktivitetit të lartë nuk janë gjithmonë pika e argjendtë. Për shembull, në Holandë ne përjetojmë efektet negative klimatike të prodhimit të lartë në industrinë tonë të qumështit, gjë që ka një efekt të rëndësishëm në shoqërinë tonë. Gjithashtu, për të mbjellat, efekti i pesticideve dhe plehrave është i rëndësishëm për t’u marrë parasysh për të mbajtur tokë të shëndetshme dhe pjellore. Për më tepër, z. de Louw sugjeron që të shikohet përtej bujqësisë, si më poshtë në zinxhirin e furnizimit ashtu edhe në humbjet pas vjeljes, për të optimizuar efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në sistemet ushqimore. Një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin të gjitha palët e interesuara dhe bashkon nevojat për shërbime financiare të atyre palëve të interesuara mund të bëjë një ndryshim. “Bashkëpunimi është kyç. Kjo është arsyeja pse jam i emocionuar që kemi të gjithë partnerët së bashku këtu në këtë skenë sot”.

Rreth FED invest Shoqëri e Kursim Kreditit

FED invest është institucioni i parë i mikrofinancës në Shqipëri. FED invest përfaqëson  organizatën kooperativë më të madhe në vend me një total të aktiveve që nga gushti 2024 prej mbi 8.3 miliardë lekë, portofol kredie mbi 6.6 miliardë lekë dhe total depozitash prej mbi 5.3 miliardë lekë. Me mbi 94 mijë anëtarë të shërbyer nëpërmjet 64 degëve në të gjithë vendin, anëtarësia e FED invest përfshin fermerë, sipërmarrës të vegjël, familje rurale dhe urbane, të përjashtuara nga shërbimet financiare bankare. Si lider në ofrimin e zgjidhjeve financiare të përballueshme për popullsinë rurale, FED invest ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë, me mbi 250 mijë kredi dhe gjysmë miliardë euro të injektuara në ekonomi përgjatë 32 viteve aktivitet. Për më shumë informacion rreth FED invest vizitoni https://www.fedinvest.al

Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Vendeve të Ulta

Ministria e Punëve të Jashtme është kanali përmes të cilit Qeveria Holandeze komunikon me qeveritë e huaja dhe organizatat ndërkombëtare. Ajo koordinon dhe zbaton politikën e jashtme holandeze. Ministria ka dy gjysma: selinë e saj në Hagë dhe misionet e saj jashtë vendit (ambasadat, konsullatat dhe përfaqësitë e përhershme). Më shumë informacion: Netherlands embassy in Tirana, Albania | Netherlands Worldwide

Rreth Rabo Partnerships B.V.

Rabo Partnerships (RP), është një filial i plotë i Rabobank – një bankë ndërkombëtare lider në sektorin agri dhe të ushqimit. Misioni i RP-së është t’u sigurojë shoqërive në zhvillim akses të përmirësuar në shërbimet financiare, duke përdorur parimet e bashkëpunimit dhe ekspertizën bankare. RP-ja synon të arrijë segmentet e pashërbyer, qoftë fermerë të vegjël, NVM apo individë privatë. Për këtë qëllim RP ofron shërbime këshillimore. Si një partner strategjik, RP ndihmon institucionet financiare dhe organizatat donatore në realizimin e ambicieve të tyre strategjike, përmes transformimit të sektorit financiar duke krijuar institucione të qëndrueshme në shërbim të zonave rurale dhe të pashërbyera. Si pjesë e Grupit Rabobank, RP krijon partneritete strategjike që zgjerojnë rrjetin ndërkombëtar të Rabobank në tregjet në zhvillim,duke besuar fort në rëndësinë e agropotencialit të ekonomive lokale. Për më shumë informacion mbi Rabo Partnerships BV, ju lutemi vizitoni https://www.rabobank.com/rabopartnerships

Rreth EFSEs

Një fond investimi me ndikim i krijuar në vitin 2005, Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE) synon të nxisë zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik në Evropën Juglindore dhe Rajonin e Fqinjësisë Lindore, duke investuar në suksesin e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla, si dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës për individët, sipërmarrjet private dhe ekonomitë familjare. Duke qenë se aksesi në shërbimet financiare është çelësi për zhvillimin e këtij segmenti, EFSE fokusohet në ndihmën e sektorëve financiarë lokalë që të forcojnë aftësinë e tyre për të ofruar financim të përgjegjshëm për këtë grup të synuar. EFSE u iniciua nga KfW Development Bank me mbështetjen financiare të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Komisionit Evropian. Ajo synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në 16 vende në Evropën Juglindore dhe Fqinjësinë Lindore Evropiane. Duke qenë se qasja në financa është një çelës për zhvillimin e suksesshëm të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (MSME), fondi kërkon të përmirësojë aftësinë e sektorëve financiarë lokalë për të siguruar financim të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm. EFSE kryesisht ofron financime afatgjata për MSME-të,  nëpërmjet institucioneve partnere vendase të huadhënies. Finance in Motion GmbH, Gjermani, shërben si këshilltar i EFSEs dhe Hauck & Aufhäuser Fund Services SA, Luksemburg, vepron si menaxher. Për më shumë informacion mbi Fondin Evropian për Evropën Juglindore, ju lutemi vizitoni: http://www.efse.lu/  

Për më shumë informacion mbi Finance in Motion, ju lutemi vizitoni: www.finance-in-motion.com

Data e publikimit: 08.11.2024

Shpërndaj në rrjetet sociale :