Maj 2024
Më datë 25 maj 2024, në Strugë, Maqedonia e Veriut, zhvilloi me sukses punimet Asambleja e Përgjithshme Vjetore e Shoqërisë së Kursim - Kreditit “FED invest”. Asambleja e Përgjithshme e vitit 2024 është Asambleja e njëmbëdhjetë e shoqërisë sonë. Kjo Asamble u ndoq nga Delegatët e saj, përfaqësues të Njësive Bazë/Grup të FED invest-it.
Asambleja u zhvillua pas përfundimit të takimeve të Mbledhjeve të Përgjithshme Vjetore në të gjitha Njësitë Grup/Bazë, ku anëtarësia jonë u njoh me aktivitetin dhe arritjet e vitit 2023, si dhe objektivat e vitit 2024. Ky event shënoi një moment kryesor në udhëtimin e kooperativës financiare FED invest, duke shpalosur arritje impresionuese, diskutime konstruktive dhe një vizion kolektiv për të ardhmen.
SHKK FED invest është kooperativa financiare më e madhe ne vend, tashmë një Institucion i fuqishëm dhe i konsoliduar në të gjithë aspektet e treguesit e ecurisë së aktivitetit, teknologjisë, infrastrukturës, qeverisjes dhe qëndrueshmërisë financiare. FED invest, me një trashëgimi profesionale të vyer 32 vjeçare, përfaqëson mbi 90 mijë anëtarë, me një shtrirje të aktivitetit në 64 degë fizike në të gjithë vendin dhe kanale digjitale. Në diskutimet e pjesëmarrësve në Asamblenë e Përgjithshme u evidentua progresi i arritur, përqafimi dhe shtrirja e nismave të inovacionit, nxitja e përfshirjes financiare, mbështetja e sipërmarrjeve lokale, fuqizimi i shërbimeve të Qendrës ABA, avancimi i transformimit digjital, si dhe thellimi i bashkëpunimeve me partnerët ndërkombëtarë.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Këshillit Drejtues të SHKK FED invest-it shprehu mirënjohje për anëtarët, të zgjedhurit, ekipin drejtues dhe punonjësit e FED invest-it, si dhe partnerët për kontributin, mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të pandërprerë. Ajo theksoi përpjekjet kolektive të nevojshme për të naviguar sfidat aktuale dhe për të shfrytëzuar mundësitë në një peizazh makroekonomik dhe financiar që evoluon në mënyrë të vazhdueshme.
Asambleja e Përgjitshme mori vendime të rëndësishme për një zhvillim të qëndrueshëm e të suksesshëm të FED invest-it.