ABA online është një platformë interaktive digjitale e krijuar për të përmbushur nevojat e fermerëve të vegjël shqiptarë në çdo hap të rritjes së agro-biznesit të tyre. Është zhvilluar dhe operuar nga Projekti për Përfshirjen Financiare të Fermerëve të Vegjël Shqiptarë (FiAS), mbështetur nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA ) dhe zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe ShKK FED invest.
ABA online është zhvilluar me qëllim të ofrimit të informacionit thelbësor për fermerët dhe bizneset e aktorëve të zinxhirit bujqësor të vlerës dhe aftësitë financiare. Fushat kryesore të shërbimit të ABA online përfshijnë:
- Çmimet e tregut: ABA online publikon çmimet e tregut të produkteve bujqësore nga tregjet kryesore me shumicë të Shqipërisë (Lushnje, Divjakë dhe Tiranë) 3 herë në javë.
- Tregu në internet: ABA online ju ofron mundësi për të takuar blerësit potencialë të produkteve tuaja në internet.
- Këshilla për teknologjinë e prodhimit bujqësor & kalendari i fermës: ABA online ofron këshilla teknike të përditësuara agronomike dhe blegtorale të ekspertëve të besuar dhe kalendarin e fermave për produkte të ndryshme.
- Edukimi financiar: ABA online ofron burime të edukimit financiar për të përmirësuar aftësitë tuaja për të menaxhuar paratë dhe informim për shërbimet financiare të përshtatura për Fermerët.
- Parashikimi i motit: ABA online ju informon mbi parashikimin e motit për 6 ditët e ardhshme.
ABA online u lançua në janar 2021 dhe ka 8,000 përdorues të regjistruar që nga shtatori 2021. Me qëllim zgjerimin e komunitetit të përdoruesve të ABA online, nga tetori 2021 deri në janar 2022 do të organizohet një konkurs për promovimin e ABA online, në mënyrë që të rritet vlera e shërbimeve të ofruara. Konkursi do të ofrojë mundësi për fermerët dhe aktorët e zinxhirit bujqësor të vlerave që të regjistrohen në ABA online dhe të ftojnë miqtë dhe klientët e tyre që të bashkohen me komunitetin ABA online. Në janar 2022, konkurrentëve kryesorë do t'u jepen çmime me mundësi për ekspozim në media.
Të Premten, 8 Tetor, në orën 11:00, u zhvillua një konferencë shtypi për të shpallur konkursin e promovimit të ABA online. Aktiviteti u ndoq nga Znj. Anxhela Bushati, Drejtore, Drejtoria e Programeve dhe Projekteve të Financave dhe Ekonomisë, dhe Z. Jiro TAKEICHI, Kryepërfaqësues i Zyrës së Ballkanit të JICA-s dhe drejtuesve të FED invest. Përdoruesit e ABA online paraqitën dëshmi mbi përfitimet që kanë përjetuar me ABA online. Aktivitetiu zhvillua në mënyrë rigoroze duke respektuar protokollet e përcaktuara nga Autoritetet Shqiptare në funksion të pandemisë COVID 19.
Sfondi i ABA online
Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) ka mbështetur rritjen e Përfshirjes Financiare në Shqipëri, nëpërmjet zbatimit të Projektit të Bashkëpunimit Teknik, "Projekti i Përfshirjes Financiare të Familjeve të Vogla në Shqipëri". Projekti zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, dhe ShKK FED invest.
Objektivi kryesor i Projektit është përmirësimi i përfshirjes financiare të familjeve të vogla rurale në Shqipëri, duke zhvilluar shwrbime të reja financiare dhe jo-financiare që përshtaten shpejt me nevojat e fermerëve. ABA online është "shërbim jo-financiar" i zhvilluar me mbështetjen e Projektit.
FED invest është institucioni i parë pionier mikro-financiar në Shqipëri i themeluar në 1992. Anëtarësia e FED invest përfshin fermerë, sipërmarrës të vegjël, familje rurale dhe gjysmë-urbane që nuk kanë akses në shërbimet financiare. Si një udhëheqës në ofrimin e zgjidhjeve financiare të përballueshme për popullsinë rurale, FED invest ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë, me mbi 160 mijë kredi dhe gjysmë miliardë euro të injektuara në ekonomi gjatë 28 viteve të ekzistencës së tij.
Ekonomia shqiptare bazohet në një segment të madh të fermave dhe bizneseve në pronësi familjare dhe 45% e popullsisë banon në zonat rurale. Shkalla e përfshirjes financiare në Shqipëri është e ulët. Vetëm 38% e njerëzve mbi pesëmbëdhjetë vjeç kanë llogari bankare në institucionet financiare zyrtare, duke lënë shumë familje pa llogari në institucione financiare formale.
Duke pasur parasysh sfondin e mësipërm dhe rëndësinë e çështjes, Qeveria e Shqipërisë, përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, i kërkoi Qeverisë së Japonisë në vitin 2017, të mbështesë një projekt bashkëpunimi teknik që adreson përfshirjen financiare të pronarëve të vegjël ruralë në Shqipëri nga JICA, me fokus zhvillimin e produkteve financiare dhe shërbimet jo financiare të FED invest. Projekti pritet të përmirësojë jetesën e 75 mijë fermerëve të vegjël nëpërmjet rritjes së kapacitetit të FED invest për të përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme shërbimet për ta.
*JICA është një Agjenci e Qeverisë së Japonisë, përgjegjëse për zbatimin e ndihmës dypalëshe përmes Bashkëpunimit Teknik, Kredive ODA (të buta) dhe Ndihmës Grant. Deri më tani në Republikën e Shqipërisë, JICA ka zhvilluar projekte të ndryshme në fushat e mjedisit, zhvillimit të sektorit privat dhe promovimit të shëndetit dhe turizmit.
**Zyra e Ballkanit e JICA mbulon 6 vende në rajon, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, , Mal të Zi Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

