Në kalendarin e mikrofinancës, data 25 Janar 2022 përkon me 20 vjetorin e themelimit të Unionit Shqiptar Kursim Kredi (USHKK) në Shqipëri, pararendësit të kooperativës më të madhe financiare në vend, sot SHKK FED invest.
Kanë kaluar 20 vjet dhe si në shiritin e një filmi të vjetër bardhë e zi, sot na vijnë në kujtesë përpjekjet e vështirësitë, por sidomos nismëtarët e kredisë rurale në Shqipëri. Së bashku me një grup ekspertësh nga Banka Botërore, pionierët e parë të kreditimit rural, pa zhurmë e bujë, trokisnin në dyert e familjeve të varfëra, fshat më fshat, për të rilindur shpresën dhe mbjellë farat e rimëkëmbjes ekonomike. Livrimi i kredisë së parë erdhi pas një procesi të mirëmenduar analize e reflektimi. U desh një periudhë kohe për të investiguar dhe eksperimentuar format më efikase të ndërhyrjes. Kontaktet e para ishin me fshatarë të rrënuar që mund të krijonin pritshmërinë që do ofroheshin grante apo ndihma ekonomike për familjet në nevojë, por grupi nismëtar me ekspertët ofruan një qasje komplet ndryshe: ofrimi i huave në shuma të vogla. Kjo ishte qasja e duhur dhe koha vërtetoi efikasitetin e kësaj zgjidhjeje. Banorët e zonave rurale e kuptuan shpejt se ҫfarë ishte kredia e si bëhej një biznes plan i thjeshtë.
Kreditë e para të disbursuara nga ky projekt pilot i financimit rural do të shërbenin për të blerë dy-tre krerë bagëti, disa koshere bletësh, për të mbjellë një kopësht me pemë etj. Me to do mbahej familja, do të ushqeheshin më mirë fëmijët dhe do të ndërtohej shkallë-shkallë ekonomia familjare. Nevoja për financim, nga njëra anë, dhe ajo çfarë ekonomia e tregut të lirë kërkonte, nga ana tjetër, ishin dy faktorë që ecnin paralelisht.
Fundi i viteve ’90 dhe fillimi i viteve 2000, shënon ngritjen e shumë Shoqërive të Kursim Kreditit, kryesisht në zonat intensive bujqësore, të cilat dhanë edhe shembullin më të madh të ringritjes së fermave, tashmë private dhe zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme bujqësore. Kreditimi rural ishte një rrugë e shtruar për prosperitetin ekonomik të familjeve ne zonat rurale.
Ky udhëtim i bukur ishte bashkëshoqërues e personifikim i ringjalljes ekonomike dhe i zhvillimit të konsiderueshëm të zonave rurale, parë kjo në aspektin e krijimit e fuqizimit të fermave bujqësore dhe aktiviteteve të ndryshme prodhuese e përpunuese, karakteristike për zonat rurale. Faktor themeltar i këtij zhvillimi ka qenë financimi rural, i përfaqësuar denjësisht nga Unioni Shqiptar Kursim Kredi. Më 25 Janar 2002, 60 Shoqëri Kursim Krediti, krijuan Unionin SHKK, si bashkim vullnetar i tyre. Themelimi i tij shënoi një hop të madh cilësor dhe hapi një prespektivë të re për kreditimin rural në përgjithësi. Në zonat ku Unioni ishte prezent u shndërrua në të vetmen referencë për të gjithë ata individë, të cilët kishin ide dhe aftësi për të zhvilluar fermën dhe që synonin të përmirësonin ekonominë e familjeve të tyre. Mjaftojnë disa vizita në ferma të ndryshme, në territore të caktuara nga veriu në jug, për të kuptuar filozofinë e Unionit Shqiptar Kursim Kredi, metodën e punës dhe katër parimet themelore të konsoliduara ndër vite siç ishin: besimi, vullnetarizmi, transparenca dhe solidariteti.
Suksesi tregoi më së miri me fakte konkrete dhe vepra, se Unioni, jo vetëm që u shndërrua në një lider të mikrofinancës në zonën rurale, por mbi të gjitha, shërbeu si promotor në zhvillimin bujqësor e rural në të gjithë vendin.
Në gjurmët e lëna, në këto 30 vjet kredi rurale dhe 20 vjet Union SHKK, përveç atyre dhjetra ekspertëve shqiptarë, kanë dhënë kontributin e ndjeshëm edhe ekspertët më të njohur evropianë të mikrofinancës, të cilët kanë mbështetur transformimin institucional në vite.
Unioni Shqiptar Kursim Kredi u transformua në në një SHKK të vetme FED invest e cila u themelua me 4 dhjetor 2015 nga bashkimi me përthithje i 70 SHKK-ve në një të vetme. Në 2 mars të 2016 Banka e Shqipërisë licecoi SHKK e re FED inevst Sot kooperativa financiare lider në Shqipëri me mbi 81 mijë anëtarë, me një staf të specializuar ekspertësh të mikrofinancës që operon në 62 degë në gjithë territorin e vendit, me një paketë të larmishme shërbimesh e produktesh financiare dhe jo-financiare në plotësimin e nevojave të anëtarëve.

